
Një muaj më parë guvernatori siguroi publikun se rritja e cmimeve do të ishte e përkohshme.
“Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se inflacioni mbetet i kontrolluar, ecuria e tij do të jetë në përputhje me parashikimin e BSH”, deklaroi Fullani.
Por përkundër këtyre pritshmërive të përcjella në publik, banka rriti papritur normën bazë të interesit me 0.25 për qind. Analiza e guvernatorit këtë herë ishte krejt ndryshe.
“Nën ndikimin e rritjes së cmimeve në tregjet botërore, norma e inflacionit kërceu në shkurt duke paralajmëruar një rritje të fraksioneve inflacioniste në tregun e brendshëm. Shpejtësia e rritjes së inflacionit nuk ishte parashikuar”, ka deklaruar sot Fullani.
Por përvec cmimeve në tregun ndërkombëtar, situata paraelektorale nuk e favorizonte bankën të mbante të pandryshuar normën e interesit. Frika e rritjes së shpenzimeve nga qeveria ishte një kërcënim.
“Periudha koincidon me një vëmendje të shtuar përsa i përket kujdesit për një kthim të domosdoshëm dhe efektiv të politikës fiskale me atë monetare. Vendimmarrja e sotme i paraprin një periudhe kujdesi e qetësie”, ka pohuar Fullani.
Në këto rrethana jo të favorshme e vetmja shpresë që inflacioni të mos godasë gjatë mbetet rritja e prodhimit vendas.
“Mbarëvajtja e mirë e cmimit do varet nga balanca, sic themi ne, nga prodhimi vendas”, ka saktësuar guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Edhe pse Banka e Shqipërisë nuk duket e dorëzuar përballë presionit të rritjes së cmimeve, kostoja e veprimit të fundit të saj për rritjen e normës mund të reflektohet tek shtrenjtimi i kredive.
“Megjithëse në pamje të parë duket sikur do krijojë frenim në rritjen e kërkesës, ajo do rrisë kërkesën për një ankroim të mirë nga BSH, për të mbajtur nën kontroll inflacionin”, ka shtuar më tej Fullani.
Top Channel