Rrihen dhe zhduken 5 ditë nga policia

21/03/2011 19:10

Tre të rinj nga Kuçova u keqtrajtuan dhe u mbajtën për pesë ditë në një vend të paditur për familjarët nga policia e shtetit.

Kontrolli i Brendshëm i Policisë së Shtetit pezulloi si rrjedhojë shefin e komisariatit dhe një nga policat protagonistë të ngjarjes, ndërsa emisioni i pasdites në Top Channel solli dramën e përjetuar pas kësaj ngjarje.

Nëpërmjet dëshmive të dëshmitareve okularë dhe prindërve të të dëmtuarve, u mund të rindërtohej ajo që nisi si një ngjarje banale, por që u shndërrua në një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut nga policia.

”Unë isha tek lokali me Dorjanin (viktimë e sulmit), babain dhe xhaxhain”, tregon një shok i të dhunuarit, Plarenti. “Ndodhi një sherr në trafik dhe pas shkëmbimit të debatit, një polic goditi një djalë të vogël.

Dorjani dhe Mariusi, një tjetër shok i yni, ndërhynë për t’i ndarë, kur ia behu furgoni i policisë. Atë djalin e vogël e morrën zvarrë, ndërsa i përplasën kokën në makinë. Të tre i morrën dhe i rrahën deri në komisariat”.

Ishte pikërisht ky moment që nisi edhe dramën e babait të Dorjanit, Sabaedin Nuhut, i cili tregoi historinë në Top Channel.

”Nuk ishte një e rrahur e zakonshme, por një dhunë e rëndë, një terror karshi njeriut. Djalin tim e kapën nga kryqëzimi, i ranë me shkop gome dhe e çuan në komisariat. Unë dhe gruaja shkuam në rajonin e policisë, por të gjithë natën nuk morrëm vesh gjë.

Në mëngjes, na thanë se nuk ishin më në komisariat, por nuk na dhanë asnjë shpjegim se ku mund të ndodheshin. Shkuam në Berat, si qëndra e rrethit, por ato një polic na tha se nuk kishin dërguar asnjë nga Kuçova.

Kaluan 48 orë, 72 orë, por përsëri nuk mësuam asgjë për vendndodhjen e djemve”.

Shqetësimi i babait dhe familjes Nuhu u qetësua vetëm pas pesë ditësh, kur të tre të arrestuarve iu komunikua masa me 20 ditë ndalim.

”Djali na tha që të mos shqetësoheshim, kur e pamë pas pesë ditësh, sepse e kishin dënuar me 20 ditë burg. Na u duk një lajm shumë i mirë, aq në merak ishim për fatin e tij, sa që u gëzuam shumë kur mësuam se ishte mirë dhe se ku ndodhej”, rrëfen Sabaedini.

”Megjithatë, këmisha e tij ishte me gjak. Djali nuk e dha veten, por dukej qartë që e kishin dhunuar”.

Për këtë, jep prova edhe Plarenti, miku i të rinjve, dëshmitar në sallën e gjyqit gjatë marrjes së vendimit.

”Ky djali i vogël e kishte kokën e qepur dhe fytyrën e nxirrë. Edhe dy të tjerët kishin të nxirra në fytyrë”, siguron ai.

Ndonëse ekziston një masë arresti me burg për 20 ditë, mbetet ende i fshehtë destinacioni i djemve gjatë pesë ditëve dhe arsyeja e gjithë kësaj dhune.

Për fat të mirë, duket se ky rast nuk do të kalojë pa u vënë re mes lapsuseve proceduriale.

Top Channel arriti të siguronte informacion se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur një hetim dhe janë pezulluar shefi i komisariatit Kuçovë dhe polici rrugor që pati konfliktin.

Top Channel