Tafili: Mora gjakun e babait

19/03/2011 15:25

I qetë, aspak i penduar dhe gjakftohtë, Admir Tafili ka pranuar përpara grupit hetimor se është ai autori i vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Shkodër.

Duke mos treguar se kush e ndihmoi për t’u arratisur nga shtëpia e tij kur po shijonte lejen shpërblyese nga burgu i Shën Kollit, Admir Tafili ka folur vetëm për ditën e premte dhe planin që kishte vënë në jetë për të vrarë pjesëtaret e familjes Pjetrushi, me të cilët, sic është shprehur ai, familja e tij ishte në gjak.

“Unë i ruajta për dy javë rresht dy vëllezërit Pjetrushi, isha i informuar për cdo lëvizje të tyre. U bëra pritë tek vendi afër varrezave, i prita i armatosur me “kallashnikov” me makinën time “Fiat Punto”. Po, unë i kam vrarë të dy vëllezërit për të marrë gjakun e babait tim të vrarë. Kisha informacion për ta edhe ku dhe kur e pinin kafenë”, është rrëfyer Tafili.

Admir Tafili ka shpjeguar më tej se pas ngjarjes ai është kthyer në Tiranë pa thënë se pse, duke ndihmuar policinë që të gjente makinën me të cilën ka bërë pritë dhe është larguar nga vendngjarja.

Makina “Fiat Punto” është gjetur e parkuar, sipas shpjegimeve që Tafili ka dhënë, disa metra larg lokalit ku i shumëkërkuari u kap duke pirë kafe, në zonën e ish-kinostudios në Tiranë.

I shumëkërkuari ka treguar se pas 2 vrasjeve armën “kallashnikov” e ka hedhur në një lum, duke i treguar policisë edhe vendin e saktë.

Edhe pse të dhënat tregojnë se prezenca e tij në Tiranë, afër një lokali që nuk është shumë larg rapartit të policisë më në zë në vend, forcave Renea, do të thotë se i shumëkërkuari po përgatitej për t’u vetëdorëzuar.

Policia zyrtarisht thotë se ai është arrestuar përmes bashkepunimit të Reneas dhe policisë së Tiranës, në bazë të informacioneve të një agjenti të policisë së Shkodrës, i cili mësohet ta ketë njohur Tafilin në kohën që po kthehej në kryeqytet dhe për këtë ka njoftuar forcat speciale.

Pa asnjë shenjë pendese, asnjë tentativë për t’u zhdukur apo fshehur dhe asnjë përpjekje për të mohuar krimin, duket se ky ka qenë misioni i jetës së Tafilajt për përmbushjen e të cilit ai organizoi edhe arratisjen nga burgu.

Ndërkohë, në fshatin Grudë, shtëpia e familjes Pjetrushi është mbuluar nga zia. Varrimi i dy vëllezërve është shtyrë pasi pritet ardhja nga Shtetet e Bashkuara të ish-shefit të policisë kriminale, i cili ishte larguar nga Shqipëria pas atentatit të dështuar për ta vrarë.

Top Channel