Fule, takim me Daden

19/03/2011 11:35

Problemet lidhur me infrastrukturën zgjedhore dhe mekanizmat për të garantuar zgjedhje të lira e demokratike janë përcjellë drejt Brukselit nga Partia Socialiste.

Përpos zgjedhjeve lokale dhe situatës politike, Selia rozë është ankuar në Bruksel edhe për rastet e korrupsionit, por edhe për abuzimet me privatizimin e trojeve të fshatrave turistikë.

Sekretarja ndërkombëtare e Partisë Socialiste, deputetja Arta Dade, mori pjesë në takimin e Task Forcës së Partisë së Socialistëve Europianë për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, deputetja Dade u takua me komisionerin për zgjerimin, Stefan Fule, ku i shprehu shqetësimin për krizën e rëndë politike që vazhdon në vend pas refuzimit nga ana e mazhorancës të propozimit të Partisë Socialiste në Kuvend, i cili mbështetej në 12 pikat e opinionit të Komisionit Europian lidhur me aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat.

Duke u ndalur te zgjedhjet lokale, nga ana e tij komisioneri Fule rikonfirmoi politikën e BE-së për zgjerimin mbi bazën e progresit të secilit vend dhe kërkoi nga autoritetet shqiptare të garantojnë standardet për zgjedhje të lira dhe të krijojnë të gjitha rrugët e domosdoshme për bashkëpunim me opozitën lidhur me axhendën europiane.

Selia rozë në njoftimin e saj për mediat, bën me dije detaje nga ky takim, ku specifikon se “shpreh shqetësimin lidhur me luftën e zbehtë kundër korrupsionit që kulmoi me publikimin e videoskandalit të ish-zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, Ilir Meta, dhe aferat e fundit korruptive lidhur me tregtimin e naftës virgin, ku janë përfshirë biznesmenë pranë familjes në pushtet dhe strukturat shtetërore, si dhe abuzimin me privatizimin e trojeve të fshatrave turistikë”.

Top Channel