Personazhet publike në kohën e ushtrisë

18/03/2011 19:30

Në një kohë kur shërbimi ushtarak ishte i detyrueshëm, të gjithë shqiptarët ishin të detyruar të mësonin si t’i bënin ballë armiqve imagjinarë.

Disa personazhe të famshëm treguan për emisionin e pasdites në Top Channel se çfarë do të thonte në kohën e diktaturës që të mbroje atdheun, koncept që shumë të rinj të sotëm nuk e njohin.

”E kujtoj ende ditën e parë kur shkova në ushtri, ishte data 18 nëntor 1973. Mamaja ishte me lot në sy, por prindërit kishin një lloj krenarie për atë ditë. Unë nuk e dija nëse do të shkoja në Vlorë apo në Sarandë”, thotë Kozma Dushi.

Këngëtari thotë se jeta larg familjes ishte një sfidë jo e lehtë për të. Ai tregon për stërvitjet shumë të rënda dhe punën e palodhshme për t’i bërë ballë armikut në cdo moment që mund të vinte.

”Kapteri ynë ishte shumë i ashpër. Ai na detyronte një stërvitje shumë të zorshme. Përshembull, na detyronte që të futeshim në ujë me armatime në mesin e janarit”.

Në radhën e personazheve të njohur që kanë kryer shërbimin ushtarak është edhe aktori i njohur, Mehdi Malkaj. Duke kujtuar kohët në repartin ushtarak të Pezë Helmesit, Malkaj me shumë humor tregon për jetën ushtarake.

”Unë ushtrinë e kam bërë përpara erës së re, andej nga viti 1970. E vërteta është që bënim stërvitje të vazhdueshme dhe ishim në gatishmëri në çdo moment për të mbrojtur atdheun, por veç luftrave imagjinare nuk bëmë gjë tjetër.

Kishte nga ata kapterë që thonin se kur urdhëronin barkas-shtrihu, mjekra duhet të të kapte tokën. Duhet të çireshe e gjakoseshe për të treguar se e bëje mirë ushtrimin, ndërsa edhe më absurde ishin urdhërat për t’u maskuar me ferra”.

Megjithatë, veç stërvitjeve, edhe lojrat mes ushtarëve dhe aktivitetet artistike janë kujtime te paharrueshme për Mehdiun. Natyra e tij e butë e bënte të pazotë të luante rolin e komandantit edhe kur i kërkohej.

”Në vitin e dytë në ushtri, erdhi një grup me rekrutë dhe kapiteni më kërkoi mua, si me më shumë përvojë, që të kujdesesha. Mbasdite na gjetën duke kënduar e vallëzuar. Më hoqën menjëherë, por nuk isha në gjendje të bëja rolin e komandantit”.

Arti ushtarak, sipas aktorit, e ndihmon shumë njeriun jo vetëm në aspektin fizik. Sipas tij, pasi mbaroje ushtrinë e kishe shumë të vështirë të gaboje në jetë.

”Ishte një shprehje se kur djali kthehej nga ushtria, vinte më i pjekur dhe kjo është e vërtetë. Brenda dy viteve përballoje shumë gjëra të rënda, jeta nuk ishte si ajo e 18-vjeçarëve të sotëm. Sot ka më shumë të drejtat se sa detyra, atëherë ndodhte e kundërta”, thotë Malkaj.

Përveç artistëve ka edhe shumë personazhe mjaft të njohur për publikun që kujtojnë kohët e strëvitjeve ushtaake. Ndër ta është edhe profesori Adrian Civici. Përvec marshimeve deri në 20 orë dhe stërvitjeve të lodhshme, ai i nuk lë pa përmendur shakatë që bënin ushtarët.

”Flinim në kapanone me 120 veta. Një natë, njëri prej nesh u zgjua, morri të gjithë këpucët dhe formoi një piramidë të vërtetë. Ishte komplet e pamundur të gjeje se kush kishin qenë këpucët e tua.

Në atë kaos, dikush tha se një palë këpucë ishin vjedhur, duke bërë që të gjithë të turreshin, për të patur të paktën një palë këpucë për të mbathur, edhe pse jo në numrin e tyre”.

Top Channel