Topi pret diplomatin britanik

15/03/2011 17:05

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot drejtorin rajonal për Ballkanin Perëndimor të Ministrisë së Jashtme britanike, Daniel Fërn.

Duke biseduar për rolin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, presidenti Topi, ka bërë një vlerësim kritik për sistemin e drejtësisë, veçanërisht, kur iu referua proçesit të Gërdecit.

Presidenti Topi tha se në trevjetorin e tragjedisë së Gërdecit zvarritja e proçesit gjyqësor është e papranueshme.

Gjatë takimit zyrtari britanik, duke vlerësuar rolin kyç të presidentit Topi në garantimin e Kushtetutës dhe të pavarësisë së institucioneve kushtetuese, theksoi mbështetjen e Britanisë së Madhe për konsolidimin e sistemit demokratik në Shqipëri, si kusht kryesor për integrimin europian të vendit.

Diplomati britanik, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë u takua edhe me kryeministrin Sali Berisha, ku rikonfirmoi se qeveria britanike, në mbështeje të proçesit të zgjerimit, përkrah çdo përpjekje të Shqipërisë për integrim.

Në takimin me kryeministrin Berisha u vlerësua gjithashtu angazhimi i qeverisë shqiptare për të zbatuar 12 rekomandimet e Komisionit Europian, në bazë të të cilave do të vlerësohet, nëse Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat.

Në këtë kontekst, kryeministri Berisha i konfirmoi zotit Fërn vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të bërë të gjitha përpjekjet për arritjen e standardeve më të mira ndërkombëtare, në zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Top Channel