Japoni, rrezik nga rrjedhjet radioaktive

15/03/2011 09:00

Rrjedhjet radioaktive nga impianti bërthamor i Fukushimës në Japoni kanë arritur nivele të dëmshme, ka bërë të ditur qeveria lokale.

Paralajmërimi vjen pasi impianti u trondit nga një shpërthim i tretë, që duket se ka dëmtuar një nga enët mbajtëse të reaktorit.

Nëse dëmtimi i enës do të konfirmohet, atëherë ka rrezik për rrjedhje radioaktive të konsiderueshme.

Ndërkohë, autoritetet kanë zgjeruar zonën e rrezikut, duke paralajmëruar banorët brenda 30 kilometrave që të evakuohen, ose të mos dalin nga shtëpitë.

“Ekziston ende një rrezik i lartë për më shumë radioaktivitet. Ata që jetojnë në një rreze prej 20 apo 30 kilometrash nuk duhet të lënë shtëpitë”, ka deklaruar kryeministri Naoto Kan.

Në një zonë me rreze të tillë është ngritur edhe një zonë ndalim-fluturimi, për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.

Katastrofa në Japoni u shkaktua nga tërmeti pothuajse 9 ballësh, i cili u shoqërua më pas nga tsunami i ditës së premte.

Mëngjesin e sotëm, reaktori numër dy u bë i treti që shpërtheu në katër ditë në impiantin e Fukushimës, 250 kilometra në veri-lindje të Tokios.

Shpërthimi u shoqërua me një rënie zjarri që përfshiu reaktorin numër 4, prej nga dyshohet të ketë rrjedhje radioaktive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA