Marina izraelite ndaloi gjatë mesditës një anije egjiptiane të ngarkuar me armë, të cilat besohet se do t’i dorëzoheshin militantëve në Rripin e Gazës.
Mjeti i quajtur “Victoria” lundronte me flamur gjerman dhe ishte drejtuar nga Turqia, për në portin e Aleksandrisë. Ajo ndodhej 320 kilometra nga brigjet.
Ndërhyrja izraelite nuk ndeshi në rezistencë nga ekuipazhi dhe anija po shoqërohet në portin izraelit të Ashdod-it, mësoi BBC nëpërmjet burimeve të saj.
Kryeministri Izraelit u tregua i shpejtë për të theksuar se shteti i tij nuk mban përgjegjëse Turqinë për ngarkesën e armëve.
”Sipas dokumentacioneve të lundrimit dhe marrjes në pyetje të ekuipazhit, është e qartë që mjeti u nis fillimisht nga porti sirian i Latakias, përpara se të vazhdonte për në Mersin në Turqi. Shteti turk nuk ka asnjë përgjegjësi për ngarkesën”, deklaroi numri një i qeverisë, Benjamin Netanyahu.
Izraeli ka vendosur një bllokadë të plotë ndaj Rripit të Gazës, ndërsa ka akuzuar edhe më parë se militantët palestinezë, të drejtuar nga Hamasi, furnizohen me armë nëpërmjet Egjiptit.
Top Channel