Nafta, PD: Kontrabanda nga kupola e PS

14/03/2011 18:50

Partia Demokratike ka reaguar ndaj akuzave të PS për kontrabandën e naftës, duke deklaruar se ky trafik kontrollohet tërësisht nga “kupola” e selisë rozë.

Përmes një njoftimi për shtyp, partia në pushtet ka bërë të ditur se kontrabanda e arit të zi në vend i ka nismat e saj gjatë qeverisjes së PS-së.

“PD sqaron edhe njëherë se kjo kontrabandë ka qënë hapur gjatë 8 viteve të qeverisjes socialiste. Kjo kontrabandë u godit me forcën e ligjit gjatë viteve të qeverisjes së PD-së. U denoncuan dhe u dërguan për ndjekje penale grupet e saj, të cilat janë mbrojtur dhe mbrohen nga kupola mafioze e Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën”, thuhet në njoftim.

Sipas dokumentit në fjalë, vetëm në këto momente janë bllokuar mijëra tonë naftë të kompanive të tjera që drejtohen nga klanet mafioze të PS-së.

Më tej, Partia Demokratike ka paralajmëruar liderin e opozitës se, herët a vonë, ligji do të veprojë mbi të dhe anëtarët e tjerë të “kupolës” së tij.

“PD i deklaron edhe njëherë kreut të pinjollëve të Ben Alive të Tiranës, që përmbysëm 20 vjet më parë, Edvin Kristaq Ramës, se ligji dhe vetëm ligji do të veprojë mbi secilin që shkel apo del mbi të, dhe kjo është e do të mbetet motoja jonë”, thuhet më tej në komunikatë.

Top Channel