
Niveli i rrezatimeve radioaktive në hyrjen e centralit bërthamor të Fukushimës është shumë më i lartë se niveli normal, raportoi përpara disa minutash BBC.
Një shpërthim i madh ndodhi në reaktor përpara rreth një ore, ndërsa matjet e fundit në terren duket se po konfirmojnë rrjedhjen e substancave radioaktive në perimetrin përreth centralit.
Siç bënë të ditur burime të besueshme jozyrtare, nga matjet e para rezulton se niveli i rrezatimeve në hyrjen e impiantit bërthamor është i tillë sa që një njeri merr brenda një ore dozën e rrezatimeve të zakonshme gjatë një viti të plotë.
Sektetari i përgjithshëm i kabinetit qeverisës, Yuko Edano konfirmoi shpërthimin, por tha se është ende herët për të dhënë detaje rreth situatës. Ai theksoi se grupe ekspertësh kanë mbërritur në Fukushima dhe se matjet e nevojshme radioaktive po kryhen.
Një ditë më parë, tërmeti me magnitutë 8,9 të shkallës rihter që goditi Japoninë dëmtoi sistemin e ftohjes së centralit atomik, duke bërë që reaktori bërthamor të mbinxehej.
Incidenti i vetëm bërthamor në kohë paqeje, ai i Çernobilit në vitin 1986, ndodhi pikërisht si pasojë e mbinxehjes së reaktorit.
Top Channel