Nafta, PS akuzon Berishën

12/03/2011 15:35

Duke komentuar arrestimet dhe skandalin me naftën “Virgine”, opozita ka drejtuar gishtin mbi kryeministrin Berisha dhe rrethin e tij të ngushtë politik.

Deputeti Eduart Shalsi deklaroi se skema e evazionit dhe grabitjes shkon deri lart në qeveri, ku edhe vilen miliona euro fitime.

“Ishte e qartë për një pjesë të shqiptarëve, tashmë besojmë se është e qartë për të gjithë se nafta shqiptare ka rënë në duart e një bande që ka këmbët, duart dhe kokën në oborrin e regjimit të kusarisë. Fajin e ka Saliu. Saliu dhe njerëzit shumë afër tij, që rrjepin përmes kësaj bande çdo vit 80 milionë euro. Një tregti, e paralajmëruar prej kohësh si një biznes i paligjshëm dhe me përfitime të majme në kurriz të shqiptarëve. Por të mos harrojmë se në pranga kanë rënë hajdutët që ekzekutonin grabitjen e naftës, ndërsa kusarët e vërtetë që hapnin shtigjet, me policë dhe me xhandarë taksash dhe tatimesh janë në qeveri e në parlament”, është shprehur Shalsi.

“Saliu, Luli, Bodja, motra Vokshit duhet të japin llogari para shqiptarëve për këtë kusari marramendëse. A ka njeri vallë që të mos e kuptojë se pse u vodhën zgjedhjet e 28 qershorit ! Pse u vranë njerëzit me 21 janar ! Përse vendi ka marrë të tatëpjetën dhe shqiptarët janë përditë e më të varfër! Sepse regjimi I Sali Berishës, një regjim kusarie dhe vrastar, mendon vetëm e vetëm se si të pasurojë oborrin e tij duke plaçkitur tokën dhe mjelur nëntokën e Shqipërisë”, theksoi Shalsi.

Top Channel