
Fatet e impiantit bërthamor që po mban në ankth Japoninë duket se janë vendosur nën kontroll prej autoriteteve, të paktën sipas fjalës së zëdhënësit të qeverisë, Yukio Edano.
Duke folur përpara mediave, pak më parë, ai theksoi se nivelet e rrezatimit kanë filluar të bien dhe se shpëthimi në central nuk ka nxjerrë jashtë meterialet radioaktive të reaktorit.
Nivele të larta radiacioni dhe sasi të lëndëve radioaktive si cesiumi e kobalti u gjetën nga ekspertët, por duket se lënda më e rrezikshme ka mbetur e izoluar.
Sipas BBC, po bëhet gjithmonë e më i qartë fakti se shpërthimi në centralin e Fukushimës ndodhi në dhomën e reaktorit, por veshja e tij e fortë ka rezistuar dhe nuk ka lejuar elementët të dalin jashtë mureve të rrëzuara.
Ndotja radioaktive në perimetrin përreth është shkaktuar nga molekulat e ndodhura brenda dhomës së reaktorit, por jo nga lënda kryesore radioaktive e përdorur si karburant për krijimin e energjisë.
Top Channel