Legalizimet, ndahet fondi 749 milionë lekë

10/03/2011 08:00

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka përfunduar procesin e shqyrtimit të kërkesave të subjekteve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale që përfitojnë këstin e dytë të kompensimit apo shpërblimit.

Ky këst i dytë është në masën prej 15,05 për qind të shumës së përgjithshme në të holla të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Në përfundim të këtij procesi, janë shqyrtuar 312 kërkesa të depozituara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Kësti i dytë i kompensimit është në shumën prej 749 028 316 lekë, nga e cila përfitojnë një numër prej rreth 1300 pronarë apo bashkëpronarë. Vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në numrin përkatës të llogarisë bankare të depozituar në AKKP duke filluar nga data 10.03.2011.

Ky proces, ashtu sikurse edhe shpërndarja e këstit të parë prej 21,89% u bazua në VKM-në “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, dhe në vendimet përkatës të Këshillit të Ministrave, në të cilat është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.

Top Channel