
Ndonëse thirrjet për një zonë ndalim-fluturimi mbi Libi po shtohen, Gedafi ka mbetur sfidues. Koloneli është rishfaqur në televizion me një fjalim provokues e shpërfillës, ku fajësoi forcat e jashtme për rebelimin në vend.
Në kohën kur lideri libian fliste përpara mbështetësve të tij, forcat qeveritare bombardonin periferitë e Zauias e cila dy javë më parë u mor nga rebelët. Forcat qeveritare tentuan të rimerrnin kontrollin e qendrës së qytetit.
Bashkë me intensifikimin e kundër-ofensivës së forcave libiane, janë shtuar edhe thirrjet për ndërhyrje ushtarake. Gjithësesi, Sekretarja amerikane e Shtetit Klinton, me një koment të kujdesshëm, tha se vendimi për një zonë ndalim-fluturimi në Libi i takon OKB-së dhe jo Uashingtonit.
Krijimi i një zone të tillë ndalon fluturimin e disa mjeteve të caktuara ajrore, kryesisht ushtarake dhe cdo avion që e shkel atë, rrezikon të qëllohet menjëherë nga forcat ndërkombëtare.
Por në Këshillin e Sigurimit 15 anëtarësh, vende me të drejtë vetoje si Rusia dhe Kina, të cilave tradicionalisht nuk u pëlqen të ndërhyjnë në problemet e brendshme të shteteve të tjera, mund të kenë rezerva serioze për një masë të tille.
Ndërkohë, duke cituar shtypin shqiptar, gazeta Neë York Times ka publikuar një artikull mbi akuzat për dërgim të paligjshëm armësh nga Shqipëria në Libi.
Gjatë pasdites, mediat e huaja kanë bërë të ditur se autoritet e regjimit të Libisë kanë vendosur një shpërblim prej 500.000 dinarësh, rreth 290.000 Euro për kapjen dhe dorëzimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Libisë, Mustafa Abdel Jalil.
Mediat e huaja bëjnë të ditur se ky lajm është transmetuar në televizionin shtetëror të Libisë, që e ka cilësuar Jalil-in si spiun.
Mustafa Abdel Jalil është ish-ministër u Drejtësise dhe aktualisht në krye të Qeverisë Provizore të Rebelëve në Bengazi.
Ndërsa në Ras Lanouf, avionët bombardues të Tripolit kanë sulmuar një stabiliment të përpunimit të prodhimeve industriale, i cili është pushtuar nga rebelët.
Sipas gazetarit të agjensisë së shtypit France Press, në zonë ka pasur luftime të dhunshme dhe është dëgjuar një shpërthim shumë i madh pranë puseve të naftës, ku janë parë flakë të larta.
Kolonel Hamed Al Hasi, kreu i rebelëve, e ka cilësuar këtë veprim si një “goditje me bisht”, apo përpëlitje të fundit, që tregon krizën në të cilën gjendet regjimi.
Top Channel