
Disa nxënës gjimnazi mbetën të plagosur në Bahrein më parë gjatë ditës, pasi dhjetëra të rinj shiit dhe sunit u përplasën midis tyre në një zënkë masive me motive fetare.
Ndonëse në dhunën e shpërthyer që prej shkurtit kanë mbetur të vrarë 7 persona dhe shumë të tjerë janë plagosur, ngjarja e ndodhur sot është veçanërisht e rëndë, pasi tregon se edhe rinia bahreinase është e ndarë në mënyrë të thellë.
Si rrjedhojë e dhunës, autoritetet i bënë thirrje organizatave fetare që të moderojnë gjuhën e tyre me të rinjtë.
Ndonëse Bahreini është përfshirë në valën e revoltave të vendeve arabe, ishulli me 800 mijë banorë është i vetmi ku protestuesit nuk kanë paraqitur kërkesa me natyrë ekonomike.
Ata kërkojnë largimin e Mbretit dhe familjes mbretërore sunite, e cila drejton një vend ku shumica e popullsisë janë shiitë.
Bahreini ka një rëndësi të madhe strategjike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi pret një prej bazave më të rëndësishme në botë të ushtrisë amerikane.
Top Channel