Australi, përmbytet sërisht Kuinslendi

10/03/2011 16:10

Disa qytete verilindore të krahinës së Kuinslendit në Australi janë përmbytur, në një kohë kur zona ende nuk e ka marrë veten nga dëmet e ciklonit Yasi dhe përmbytjet më të këqija në histori.

Siç raporton media austrialiane, banorët e qytetit të Karduellit, i dëmtuar rëndë nga katastrofat e mëparshme natyrore, u zgjuan sot me ujin që kishte mbuluar qytetin dhe përmbytur plotësisht disa prej zonave të tij më të ulta.

Ujrat në rritje kanë ndërprerë komunikimin midis katër qyteteve të zonës, ndërsa operacionet e evakuimit kanë nisur në pjesët më të rrezikuara.

Parashikimet e motit flasin për më shumë rreshje në ditët e ardhshme. Mbi 200 mijë persona u shpërngulën dhe disa dhjetëra mbetën viktimave të përmbytjeve më të këqija të historisë së Australisë, në janar dhe shkurt.

Dëmet ekonomike të asaj katastrofe dhe të një cikloni që goditi kontinentin-shtet disa javë më parë llogariten në dhjetëra miliarda euro.

Top Channel