KQZ miratoi regjistrimin e PS

09/03/2011 17:55

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi pa debate regjistrimin e Partisë Socialiste si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 8 majit.

Bashkë me Partinë Socialiste u miratuan edhe kërkesat partive të tjera aleate, si Partia Socialdemokrate, Demokracia Sociale, Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, apo G99.

Kështu, krejt forcat politike të opozitës së majtë janë regjistruar konform ligjit dhe afateve ligjore për të marë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi kërkesat e 2 partive për mosplotësim në mënyrë të përsëritur të dokumentacionit të nevojshëm.

Këto ishin Partia e Emigracionit Shqiptar dhe Partia Alternativa Republikane. Po ashtu, KQZ rrëzoi edhe kërkesën e shoqatës politike “Mëmëdheu”, pasi në bazë të ligjit regjistrohen si subjekte zgjedhore vetëm partitë, koalicionet, apo kandidatët e pavarur të mbështetur nga një numër i caktuar zgjedhësish.

Në përfundim të afatit të regjistrimit të subjekteve zgjedhore, rezultojnë të regjistruara 56 parti, cka është më shumë se në zgjedhjet lokale të vitit 2007, kur u rregjistruan 48 parti.

Top Channel