
Diktatori libian, koloneli Muammar Gaddafi, deklaroi se njerëzit e tij do të marrin armët dhe do të luftojnë kundër ndërhyrjes perëndimore, nëse një bllokadë fluturimesh do të vendoset mbi territorin e vendit.
Në një intervistë të transmetuar në mesditë nga një televizion turk, Gaddafi deklaroi se “no-fly zone” do të ishte një mjet që do të tregonte qëllimin e qartë të perëndimit për të vënë dorë mbi rezervat e naftës në vend.
Ndërkohë, forcat e Gaddafi-t duket se arritën të merrnin sot pas disa ditë luftimesh qytetin e Zavijës, i ndodhur vetëm 50 kilometra në perëndim të Tripolit.
Njëkohësisht, shpërthime të fuqishme janë dëgjuar nga qyteti port i Ras Lanufit, ku gjatë ditëve të fundit, forcat ajrore qeveritare dhe artileria kanë bombarduar rëndë qytetin.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur se do të bisedojnë mundësinë e bllokadës ajrore brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Zona ku ndalohet fluturimi janë vendosur më parë ndaj Irakut, në kohën e Luftës së Parë të Gjirit, në vitin 1991 dhe mbi territorin e Bosnjes, në vitet 1994-95.
Top Channel