Rama: Berisha vrau në 21 Janar

06/03/2011 20:35

I gjendur në Athinë  në kuadër të asamblesë të së majtës europiane, kryetari i  Partisë Socialiste Edi Rama, është takuar me emigrantë shqiptarë që jetojnë në Greqi. (UPDATE)

Zoti Rama shoqërohej prej deputetëve Taulant Balla, Arben Ahmetaj dhe Erjon Veliajt.

Rama garantoi ndihmën e Partisë Socialiste për emigrantët, krijimin e politikave të posacme dhe ndërmjetësimin me palën greke për njohjen e viteve të punës dhe pensioneve.

I pyetur prej emigrantëve lidhur me ngjarjen e 21 Janarit, zoti Rama akuzoi qeverinë Berisha se sulmoi njerëz të papunë dhe të varfër, të cilët kishin dalë në shesh për protestuar kundër grabitjes se votës dhe varferisë. Atyre njerëzve që kërkonin pune, Berisha iu drejtoi armet dhe i vrau, tha Rama.

“Nuk është rastësi që të vrarët ishin të papunë. Përgjigja për kërkesën e këtyre njerëzve të ndershëm nga ana e regjimit të Saliut ishte pushka. Ne besojmë se nuk mund të ketë asnjë rrugë tjetër për të hapur një perspektivë për shqiptarët e zakonshmë në Shqipëri, përvec rrugës së Partisë Socialiste”, tha Rama para emigrantëve.

Qeveria, tha Rama, po pengon hetimin dhe po lufton insitucionet e pavarura, mediat e pavarura dhe strukturat shtetërore që po hetojnë mbi tragjedinë e 21 Janarit. Ai akuzoi kryeministrin se po qeveris vendin me votat e vjedhura, cka u ka privuar shqiptarëve një qeverisje të mire, e cila do t’i jepte vendit mundësinë për të dalë nga kriza e thellë që e ka futur Berisha dhe njerëzit e tij.

Rama tha se qeveria po privatizon me urgjencë dhe në mënyrë të dyshimtë, pak para zgjedhjeve lokale 1280 pasuri të patundshme, por shtoi se ky proces do të rishihet sapo PS të vijë në pushtet.

Top Channel