PS, letër ndërkombëtarëve

05/03/2011 15:50

Në emër të Partisë Socialiste, kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruci ka adresuar një letër për Bashkimin Europian, OSBE-në, Këshillin e Europës, ambasadorit amerikan dhe të gjithë trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, ku shprehen shqetësimet dhe kundërshtimet e PS për ndryshimin e rregullores së Kuvendit të Shqipërisë.

Në radhë të parë zoti Ruci thekson se vendimet për deputetët e Partisë Socialiste janë bërë më të ashpra, deri represive kundrejt opozitës.

“Dialogu politik është përkeqësuar edhe më tej, duke u bërë tejet konfrontues dhe jo produktiv si pasojë e retorikës provokuese të kryeministrit dhe abuzimit me detyrën nga ana e kryetares së Kuvendit, në vecanti përmes ndërprerjes së debateve mbi projektligjet dhe imponimit të vendimeve të njëanshme nga konferenca e kryetarëve”, shkruan Ruci në letër.

Kreu i parlamentarëve socialistë e mbështet qëndrimin edhe në seancën e fundit, atë të tre marsit ku sipas tij kryetarja e Kuvendit kërkoi përjashtimin e deputetit Taulant Balla sepse ai po zbulonte aferat korruptive ku janë përfshirë për PS pjesëtarët e qeverisë, përfshirë kryeministrin Berisha.

“Në reagim ndaj konkluzioneve dhe 12 prioriteteve të parashtruara nga Komisioni Evropian në opinionin mbi Shqipërinë, grupi parlamentar i PS në fund të vitit që shkoi paraqiti një rezolutë ku merrej parasysh përmbushja e 12 kritereve, të cilat ndër të tjera përfshijnë një reformë të thellë parlamentare, si dhe reforma që do të sillnin përfitime të prekshme për qytetarët. Për fat të keq, mazhoranca qeverisëse e refuzoi rezolutën tonë. Ne iu apelojmë partnerëve tanë ndërkombëtarë të marrin në konsideratë faktet e përmendura më lart, të cilat po dëmtojnë funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe po pengojnë reformat e rëndësishme që nevojiten për progresin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe vendosjes së shtetit ligjor”, thuhet më tej në letër.

Top Channel