Libi, vijojnë tensionet rebelë-qeveri

05/03/2011 18:35

Luftime të ashpra janë zhvilluar në Zavija, 50 kilometra në perëndim të Tripolit, pasi rebelët shtynë një përpjekje të forcave qeveritare për të rimarrë nën kontroll qytetin kyc të Libisë.

Trupat qeveritare u dëbuan nga qendra e qytetit pas luftimeve të dhunshme në mëngjes, por u grupuan sërish për një sulm tjetër më vonë gjatë ditës.

Numri i personave të vrarë është ende i paqartë, por të shtënat e armëve të zjarrit janë dëgjuar deri vonë.

Ndërkohë, rebelët që luftojnë kundër kolonelit Muammar Gaddafi kanë marrë nën kontroll portin Ras Lanuf, në lindje të Tripolit.

Vëzhguesit e huaj deklarojnë se balanca për marrjen e pushtetit është vështirë të përcaktohet, pasi beteja për kontrollin e Libisë është në vijim e sipër.

Në Tripoli, ka një besim në rritje mes besnikëve të Gaddafi, se regjimi ka marrë dhe konsoliduar kontrollin në kryeqytet dhe zona të tjera jetike të vendit.

Më herët, një banor i Zavijas, njëkohësisht mbështetës i rebelëve, Mohammed, tha për BBC se trupat pro-Gaddafi kishin ardhur nga lindja dhe perëndimi duke zënë pozicion në ndërtesa të larta dhe duke hapur zjarr.

Ai tha se disa tanke ishin kapur dhe djegur pranë sheshit të qytetit dhe se atje ka pasur protesta të ngazëllyera nga rebelët pasi trupat pro-kolonelit janë larguar.

Ndërsa një banor tjetër, Hussein, tha se shumë civilë janë vrarë, për fshirë gra dhe fëmijë, pasi rreth 40 makina të mbushura me ushtarë, të mbështetur nga tanke dhe artiljeri e rëndë kanë hapur zjarr.

“Ka njerëz që po vdesin kudo. Në Zavija po ndodh një katastrofë. Ne kemi nevojë për ndihmë”, deklaroi Hussein për BBC.

Ndërsa një doktor në të njëjtin qytet tha për rrjetin informativ britanik se të paktën 30 persona kanë vdekur vetëm ditën e sotme.

Ndërkohë, në përpjekje për të kryer një kundërsulm në frontin diplomatik, kolonel Gaddafi ka caktuar një ambasador të ri në Kombet e Bashkuara, për të zëvendësuar diplomatin që doli kundër tij.

Megjithatë, nuk dihet nëse Uashingtoni do t’i sigurojë të dërguarit të ri, Ali Abdussalam Treki, një vizë për ta lejuar që të hyjë në Nju Jork.

Caktimi i Treki vë Kombet e Bashkuara në një pozitë të vështirë, ka deklaruar korrespondentja e BBC, Barbara Plett. 

Top Channel