Qëndisja në Shqipëri, zanat dhe pasion

02/03/2011 19:05

Një shqiptare e quajtur Elmira Hovi, për të qëndisur “Primavera”-n e Botticeli-t, u shndërrua në një “robinë” të gjilpërës për më shumë se tre muaj, ndërsa ka qepur mbi katër orë në ditë, me më shumë se 40 fije të ndryshme peri.

Historia e saj e veçantë u shndërrua në objekt të reportazhit të emisionit të pasdites në Top Channel.

Ndonëse Elmira e ka një pasion fëmijëre qëndisjen, ideja për të arreduar shtëpinë nëpërmjet punimeve të saj iu formua shtatë vite më parë.

”I kam zëvendësuar pothuajse të gjithë aksesorët e shtëpisë me punë dorë. Duke nisur që nga pecetat, e deri tek peshqirët, jastikët, çarçafët.

Të gjithë i kam të qëndisur dhe i kam të dedikuar për çdo person të familjes”, thotë shtëpiakja. ”Ndërsa panoramat dhe pikturat e shtëpisë i kam bërë përsëri të gjitha me dorën time”.

Nëse Elmira qëndis për pasion, Florinda e bën këtë për të mbajtur familjen e saj. Kur u shpërngul nga Kukësi për në Tiranë 13 vjet më parë, nisi të merrej me këtë zanat, pasi nuk mundi të gjente një vend pune në profesionin e saj si arsimtare.

Pasi lexoi në një gazetë një lajmërim që ofronte punë për qëndistare, Florinda vendosi që të shfrytëzonte aftësitë që kishte mësuar në fëmijërinë e saj.

”Kam mësuar të qëndis që gjashtë vjeç dhe atëherë ishte mami që na detyronte të mësonim, sepse mendonte se do të na duhej një ditë”, thotë Florinda, e cila nuk do t’a kishte menduar kurrë se ky zanat do t’a shpëtonte nga bataku ekonomik ku kishte rënë pas transferimit në kryeqytet.

Ajo u punësua në një kompani që punët e dorës i eksportonte dhe i shiste jashtë, ndërsa ndihmoi që në këtë zanat të punësoheshin edhe të afërmit e fqinjet e saj.

”Në vitet e para ishte një biznes shumë fitimprurës dhe punonim deri natën vonë për të mbaruar punët që na kishin dhënë. Tani ka më pak fitime, megjithatë ne vazhdojmë të punojmë dhe e bëjmë këtë edhe vetëm për kënaqësi”, shton vjehrra e Florindës.

Për shumë gra, qëndisja përbën një mënyrë të thjeshtë për të sjellë para në familje, njëkohësisht që ndodhet pranë saj.

Pagesa varion sipas vështirësisë së modelit dhe materjalir të pëlhurës. Megjithatë, sipas atyre që bëjnë këtë punë, ajo gjithmonë mbetet e paçmuar sa duhet.

”Kam 12 vjet që tashmë merrem vetëm me qëndisje dhe të njëjtën gjë bën edhe vjehra, motrat e të njohurat e mia. Me këtë punë jetojmë”, thekson Florinda.

Një administratore e një dyqani që shet punimet me dorë, Majlinda Gurra, tregon se pas një rënie të interesit të kësaj tradite kombëtare në Shqipëri, ishin të huajt ata që rigjeneruan profesionin e qëndistarisë.

”Ishin të huajt ata që e çmonin veçanërisht këtë traditë dhe ne u mësuam që të qëndisnim vetëm modelet e të huajve, kryesisht italianë, francezë dhe grekë”, deklaron Majlinda.

Sipas fjalëve të saj, tashmë edhe vetë shqiptarët kanë filluar të çmojnë si duhet qëndistarinë. “Pasi njerëzit shkuan në Europë dhe panë që atje këto modele vlerësoheshin shumë, ndodhi që të rikthehej edhe interesi për qëndisjet.

Megjithatë, disa ndryshime kanë ndodhur, ndërsa modelet e vjetra janë zëvendësuar nga modele të reja moderne, të cilat e bëjnë më të lehtë punën.

Pjesa më e madhe e klientëve i porosisin punimet e dorës, por ekziston ende një pjesë e mirë që preferon t’i ndërtojë vetë”, përfundoi Zonja Gurra.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel