Ngjarja e Frankfurtit revolton Merkel

02/03/2011 19:15

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u shpreh “e revoltuar”, pasi dy ushtarë amerikanë gjetën vdekjen dhe dy të tjerë u plagosën, në një sulm të armatosur të një shtetasi kosovar në aeroportin e Frankfurtit.

“Dua të shpreh se sa e revoltuar jam me këtë ngjarje. Ne do të bëjmë gjithçka për të zbuluar përse ndodhi ky krim tragjik. Mendimi ynë në këtë moment shkon pranë familjeve të pilotëve trima që humbën jetën”, deklaroi Merkel përpara gazetarëve në Berlin.

Reagimi i saj erdhi disa minuta pasi edhe Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, dënoi “fuqimisht aktin mizor”, në të njëjtën kohë që konfirmoi se atentatori është një kosovar me etni shqiptare, nga qyteti verior i Mitrovicës.

Ndërkohë, media gjermane ofron edhe kronologjinë e ngjarjes, së ndodhur rreth orës 15:20, në parkingun e jashtëm të aeroportit të dytë më të madh në Europë.

Kosovari ndodhej brenda autobuzit, kur ai hapi zjarr me një pistoletë. Nuk dihet se si mundi të hynte brenda, duke qenë se autobuzi ishte i rezervuar vetëm per personelin ushtarak.

Pas ngjarjes, 21-vjeçari u përpoq të humbte gjurmët duke u ngatërruar me turmën në terminalin e dytë të aeroportit, por u arrestua nga forcat e rendit të aeroportit.

Besohet se kosovari mund t’i përkasë ndonjë organizate fondamentaliste islamike dhe kjo është edhe pista që po ndjekin autoritetet gjermane në këtë moment.

Dy viktimat dhe dy të lënduarit e tjerë u konfirmuan nga ushtria amerikane si pilotë të bazës së Ramstein, e cila ndodhet pranë Frankfurtit dhe është një prej bazave më të mëdha amerikane jashtë territorit të SHBA-së.

Top Channel