Piratët marrin peng shtatë danezë

28/02/2011 17:45

Tre fëmijë danezë janë marrë peng së bashku me prindërit e tyre prej piratëve somalezë, ndërsa jahti i tyre ishte duke lundruar në ujrat e Oqeanit Indian.

Lajmin e bëri të ditur për mediat gjatë mbasdites një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Danimarkës.

Zëdhënësi tha për Agjensinë e Lajmeve “Ritzau”, se së bashku me familjen prej pesë personash, ndodhedhin edhe dy timonierët e jahtit, edhe ata danezë. Ngjarja ndodhi të enjten e javës së shkuar.

Anija e marrë peng është duke udhëtuar drejt brigjeve të Somalisë, ku ata do t’i bashkohen 31 mjeteve dhe 688 pengjeve të tjera, të kapur edhe ata duke lundruar në ujrat e Oqeanit Indian apo në Detet pranë tij.

Pirateria është shndërruar në një biznes fitimprurës nga somalezët, të cilët nëpërmjet kësaj mënyre, kanë përvetësuar me qindra miliona dollarë në vit, në formë dëmshpërblimi për lirimin e pengjeve.

Ushtria amerikane u përpoq të lironte katër shtetas, mjeti i të cilëve u grabit dy javë më parë, por ata u ekzekutuan nga piratët, pasi një mision ushtarak tentoi t’i lironte duke përdorur forcën.

Top Channel