India pret një rritje ekonomike rekord

28/02/2011 15:40

Qeveria indiane miratoi buxhetin e vitit të ardhshëm, ndërsa Ministri i Financave paralajmëroi një rritje 9% të ekonomisë, që do të pasojë 8,5% të vitit aktual.

Në një deklaratë të raportuar nga BBC, njeriu që ka në dorë financat e vendit, Pranab Mukherjee, theksoi se të gjithë shenjat të bëjnë të mendosh se vendi do të gëzojë një rritje rekord në të paktën dy vitet e ardhshme.

Ai shtoi se përpjekjet e Nju Delhit zyrtar për të vendosur nën kontroll inflacionin po japin rezultat dhe se ai nuk do të jetë më i lartë se limiti prej 8,4%, vendosur për vitin e ardhshëm fiskal.

Megjithatë, Mukherjee pranoi se inflacioni prej 17% i çmimit të ushqimeve në vitin 2010 mbetet një shqetësim i thellë për qeverinë, e cila po studion adaptimin e masave sociale shtesë, për t’i ardhur në ndihmë shtresave të varfëra të popullsisë.

Opozita indiane kundërshton raportet optimiste të qeverisë, duke thënë se korrupsioni është ndër nivelet më të larta në botë, ndërsa të ardhurat e rritjes ekonomike po përqendrohen në një grup të kufizuar personash.

Top Channel