Gaddafi: Të gjithë libianët më duan

28/02/2011 19:55

Diktatori libian, koloneli Muammar Gaddafi, deklaroi në një intervistë eksluzive për BBC se “të gjithë libianët e duan”, ndërsa mohoi të ketë patur ndonjë protestë në Tripoli.

Sipas 67-vjeçarit, njerëzit e tij janë të gatshëm të vdesin, për t’a mbrojtur. Gaddafi qeshi me sugjerimet se ai po përgatit arratisjen e tij nga Libia, ndërsa theksoi se ndihet i tradhëtuar nga liderat që i kanë kërkuar që të largohet.

Duke interpretuar fjalët e Gaddafi-t, “tradhëtarët” kryesor të tij jaën Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton dhe kryediplomatja e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, të cilat i kanë kërkuar shprehimisht diktatorit që të dorëhiqet.

Sipas kolonelit, janë vendet perëndimore ato që kanë destabilizuar Libinë, me politikën e tyre të pamoralshme dhe dëshirën për të kolonizuar vendin.

I pyetur nga korrespondenti i BBC-së nëse ai do të jepte dorëheqjen, Gaddafi u përgjigj se nuk ka asnjë post zyrtar nga i cili të dorëhiqet, ndërsa këmbënguli se libianët vazhdojnë t’a mbështesin “të gjithë”, prandaj ai vazhdon të ndihet shumë i fuqishëm.

Gjatë intervistës së kryer në një restorant të Tripolit me pamje nga deti, diktatori u duk veçanërisht i qetë dhe i shkëputur nga realiteti.

Luftime të ashpra kanë ndodhur sot në shumë qytete të Libisë, por kryeqyteti gëzon një lloj paqeje relative, me shumë dyqane që u hapën për herë të parë sot, pas shumë ditësh të mbyllura si rrjedhojë e protestave.

Pavarësisht se parti raportime për një revoltë të lokalizuar në Tripoli, qytetarët e kryeqytetit u vendosën në radhë përpara bankave, për të marrë 400 dollarët që qeveria premtoi, për të kompensuar dëmin e mbylljes së aktiviteteve dhe mungesës së ushqimeve.

Top Channel