Videot tronditëse nga Libia

27/02/2011 12:25

Një tjetër video në internet tregon vrasjet e pamëshirshme të libianëve.

Pamjet tregojnë dy persona të armatosur që qellojnë dy persona të shtrirë përtokë.

Personat që qëlluan i përkasin milicisë së liderit libian, Muamar Gedafi. Siç raportohet, video është regjistruar në një vend të panjohur në Libi. Agjensia Reuters thote se e ka të pamundur për të verifikuar përmbajtjen e saj.

Muamar Gedafi vazhdon të ketë nën kontroll të plotë Tripolin, ndërsa pjesa lindore e vendit është në dorë të protestuesve anti-qeveritar. Siç raporton BBC, kanë nisur diskutimet për formimin e një qeverie tranzicioni.

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara votoi me unanimitet vendosjen e sanksioneve kundër rregjimit të Muamar Gadaafit dhe përpjekjeve të tij për të vënë nën kontroll situatën në vend. Ata mbështetën embargon e armëve dhe ngrirjen e aseteve dhe dërgimin e Kolonelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve, për krime kundër njerëzimit.

“Ne presim që të gjithë ata që bashkëpunojnë me regjimin të pozicionohen dhe të vihen përkrah popullit libian. Këto janë masa paraprake dhe shpresoj që t’i japin fund tragjedisë me të cilën po përballen njerëzit tanë”, u shpreh Ibrahim Dabbashi, zëvendësambasador i Libisë në Këshillin e Sigurimit.

“Më e rëndësishmja është që ramë dakord në unanimitet për Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve dhe kjo përcjell një mesazh të qartë se nuk do të tolerohen sulmet masive sistematike dhe nuk do të mbeten pa ndëshkuar. Ky është një paralajmërim për kriminelët që kryejnë krime kundër njerëzimit”, theksoi Susan Rice, përfaqësuesja e përhershme e SHBA-së në KS.

Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se udhëheqësi libian duhet të japë dorëheqjen dhe të largohet menjëherë nga vendi. SHBA vendosën sanksione kundër Libisë dhe mbyllën ambasadën në Tripoli.

Australia do të vendosë gjithashtu sanksione ndaj 22 personave të afërt me kolonelin duke ndaluar transaksionet financiare dhe hyrjen e tyre në këtë vend.

 

Top Channel