Berluskoni “lëshon” Gaddafin

27/02/2011 11:10

Silvio Berluskoni, aleati më i fuqishëm i Muamar Gaddafit në Europë, thotë se koloneli e ka humbur tashmë kontrollin e Libisë.

“Të gjithë po mbajmë frymën për atë që po ndodh në anën afrikane të Mesdheut. Kam lajme të reja për gjendjen atje, të cilat lënë të kuptohet se Gaddafit i ka rrëshqitur situata nga duart”, u shpreh kryeministri italian.

Berluskoni, që jo më larg se qershorin e 2009-tës mbylli parkun më të madh të Romës për t’i krijuar të gjithë komoditetet e mundshme liderit libjan dhe truprojeve të tij femra, duke ngritur një kamp posaçërisht për ta, nuk është zgjatur në komente mbi dhunën në Libi.

Berluskoni tha vetëm se revoltat popullore në veriun e Afrikës mund të sjellin demokraci dhe liri. por nga ana tjetër ato mund të nxisin në të njëjtën kohë krijimin e qendrave të rrezikshme të fondamentalizmit islamik dhe vetëm pak kilometra larg brigjeve italiane, ku autoritetet i druhen edhe eksodit masiv të refugjatëve.

“Italia është drejtpërdrejtë e përfshirë, ashtu si të gjithë vendet e tjera europiane. Askush nuk mund të parashikojë me saktësi se çfarë do të ndodhë sot e tutje”, shtoi Berluskoni.
 
Italia ka marrëdhënie të ngushta me Libinë, ish-koloni të vetën, që aktualisht mbulon rreth 25 % të nevojave të Romës për naftë dhe 12% të importeve të saj të gazit natyror.

 

Top Channel