Obama: Bllokada, jo kundër popullit libian

26/02/2011 08:20

Disa orë pas vendosjes së sanksioneve ndaj Libisë, prej Këshillit të Sigurimit në OKB, falë nismës amerikane, presidenti Barack Obama publikoi një komunikatë shpjeguese.

Numri një i politikës botërore shpjegoi përse kishte lindur nevoja për të marrë masa të tilla dhe theksoi unitetin e opinionit ndërkombëtar, përpara krizës libiane.

”Qeveria libiane vazhdon të nëpërkëmbë të drejtat e njeriut, sillet në mënyrë brutale ndaj qytetarëve të saj dhe një sjellje e tillë meriton vetëm dënimin e fortë të komunitetit ndërkombëtar.

Megjithatë, dua të bëj të qartë që këto sanksione nuk i drejtohen popullit libian, por regjimit diktatorial të Gaddafi-t, ndërsa kanë qëllimin e mirë që të mbrojnë pasuritë që i përkasin vetëm njerëzve libianë”.

Në komunikatën e tij, publikuar vonë gjatë të premtes, Obama e konsideroi Gaddafi-n si një njeri “të çmendur”.

Në të të njëjtën kohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, sqaroi qëndrimin e organizatës që ai drejton. “Ishte hera e parë që Këshilli i Sigurisë merrte në konsideratë mundësinë e veprimeve konkrete, por situata e krijuar në Libi e bënte të nevojshmë një përgjigje të fortë të komunitetit ndërkombëtar”.

Në të njëjtën kohë, Gaddafi u rishfaq në televizionin kombëtar të Libisë, duke theksuar se ishte i vendosur të shkatërronte çdo formë rezistence dhe se nëse një sulm do të ndodhte kundër tij, do të hapte depot e armëve për mbështetësit, në mënyrë që “Libia të bëhet pluhur dhe flakë”.

Top Channel