Libi, edhe OKB flet për mijëra viktima

25/02/2011 13:05

Organizata e Kombeve të Bashkuara konfirmoi raportimet për disa mijëra të vrarë në Libi, ndërsa shtoi se gjendja bëhet gjithmonë e më shumë alarmante.

Që prej më shumë se një jave janë duke u zhvilluar luftime midis forcave qeveritare dhe protestueve, të cilët kërkojnë largimin e kolonel Muammar Gaddafi-t nga pushteti, pas 42 vitesh drejtimi të vendit.

Drejtuesi i OKB-së për të drejtat e Njeriut, Navi Pillay, deklaroi: “Si rrjedhojë e thyerjes të vazhdueshme të ligjit ndërkombëtar nga Libia dhe ushtrimit të dhunës së pajustifikuar në protesta, gjendja është alarmuese.

Përveç vrasjeve dhe plagosjeve të njerëzve të paarmatosur nga ushtria apo policia, janë shënuar edhe shumë arrestime arbitrare apo tortura të pajustifikueshme. Fatkeqësisht, mund të konfirmojnë se viktimat tashmë numërohen në mijëra”.

Ndërkohë, autoritetet libiane, në një përpjekje për të penguar shpërthimin e revoltave në kryeqytet, i kanë premtuar çdo familje nga 400 dollarë ndihmë, për të kryer furnizimet e nevojshme ushqimore dhe me mjekime.

Top Channel