Irak, pesë të vrarë në protesta

25/02/2011 20:45

Vala e protestave anti-qeveritare ka përfshirë edhe Irakun, ku mijëra vetë kanë dalë nëpër rrugë në qytete të ndryshme të vendit, për të marrë pjesë në të ashtuquajturën “dita e zemërimit”.

Mësohet se të paktën 5 persona kanë humbur jetën gjatë përleshjeve me policinë në Bagdad. Kryeqyteti është praktikisht i bllokuar pasi autoritetet kanë ndaluar lëvizjen e makinave në qendër dhe mijëra ushtarë janë nxjerrë për të patrulluar rrugët e tij.

Ushtarët kanë mbyllur cdo rrugë që të con për në Bagdad, në mënyrë që të pengojnë ardhjen nga qytete të tjera, ndërkohë që policia u vendos brenda dhe përreth sheshit Tahrir.

Nga ana e tyre protestuesit hodhën gurë kundër policisë dhe u përpoqën të përmbysnin disa barriera që bllokonin urën Jumhuriyah, pranë sheshit.

Ditën e djeshme kryeministri Nouri al Maliki u bëri thirrje qytetarëve që të mos u bashkohen protestave për arsye sigurie dhe akuzoi Al Kaedën dhe mbështetësit e Saddam Hussein për organizimin e tyre.

Por disa qindra persona sfiduan praninë e policisë në sheshin e Bagdadit, për të denoncuar korrupsionin dhe shërbimet e dobëta.

Top Channel