Gaddafi: Luftë deri në fund armikut

25/02/2011 18:55

Lideri libik Muammar Gaddafi u ka thënë sot mbështetësve të tij, të mbledhur në Sheshin Jeshil të Tripolit, se do të hapë arsenalet kur të jetë e nevojshme për të armatosur popullin e Libisë kundër armikut.

“Mund t’i shtypim të gjithë armiqtë. Mund t’i shtypim me vullnetin e popullit. Populli është i armatosur dhe kur të jetë e nevojshme do të hapim arsenalet për të armatosur popullin dhe të gjitha tributë libike”, ka deklaruar Gaddafi.

Lideri ka ftuar mbështetësit e tij të mbrojnë Libinë dhe interesat e saj në fushën e naftës duke thënë se, “jemi gati të triumfojmë ndaj armikut”. Më tej, duke iu referuar opozitarëve, ai ka shtuar: “Do të luftojmë nëse do ta duan një gjë të tillë”.

I veshur me një xhup dhe me një kapele me mbrojtëse veshësh në kokë, koloneli, në fuqi që prej vitit 1969, iu ka bërë thirrje mbështetësve që të jenë gati të luftojnë për Libinë.

“Të jeni gati për të luftuar për dinjitetin, për naftën. Muammar Gaddafi është mes jush. Unë jam me popullin dhe ne do të luftojmë dhe do t’i vrasim armiqtë nëse ai do”, ka shtuar Gaddafi.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, dëshmitarë nga Tripoli raportuan se një grup protestuesish dolën me vrull nga një xhami në qendër të qytetit për të protestuar.

Ata u ndaluan nga forca e trupave dhe milicisë, të cilët hapën zjarr ndaj tyre në zonën Souq al Jomaa, teksa drejtoheshin për në Sheshin Jeshil.

Thuhet se snajpera të vendosur mbi catitë e ndërtesave kanë qëlluar ndaj protestuesve, ndërkohë që lajme për të shtëna ndaj tyre vijnë edhe nga zonat e tjera të kryeqytetit si Fashloom, Janzour dhe Zaëlyat al-Dahmani.

“Shumë persona po vriten tani në Tripoli. Mua më telefonuan disa miq që kishin parë njerëz që dilnin nga xhamia të qëlloheshin me armë”, ka deklaruar një banor i Tripolit për BBC.

Ndërkohë, evakuimet e shtetasve të huaj përmes detit kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së sotme, edhe pse moti i keq vështirësoi operacionet. 

Top Channel