Lajcak: Vendi, thellësisht i ndarë

24/02/2011 19:55

Bashkimi Europian shpreh shqetësimin për krizën politike në Shqipëri dhe u kërkon udhëheqësve politikë të marrin masa urgjente për të tejkaluar ndasitë.

Mirosllav Lajcak, i dërguari i shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton e vendos Shqipërinë në vend të parë sa i takon krizës politike.

“Ka vende ku zhvillimet nuk janë të kënaqshme, vende që po kalojnë përmes kundërshtimesh të brendshme politike dhe në disa raste mund të flasim për krizë politike, ku Shqipëria është në vend të parë. Cilat janë arsyet? Mund të jetë kriza ekonomike, ndoshta është fakti se bashkësia ndërkombëtare dhe Bashkimi Europian po shikon së brendshmi për të zgjidhur sfidat e brendshme ekonomike”, deklaroi Lajcak.

Vrasja e protestuesve në janar shënoi, sipas tij, një nga përplasjet më të këqija sociale që prej viteve 1990 në Shqipëri, që është sot një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësimin në BE.

“Shqipëria duhet të përmbushë kushte të qarta për të arritur statusin e vendit kandidat në fund të këtij viti. Për fat të keq, në vend që të fokusohet në paraqitjen e këtyre rekomandimeve, sic janë përcaktuar nga BE, vendi tashmë është thellësisht i ndarë dhe është fokusuar në konfliktin e brendshëm dhe jo në integrimin europian”, nënvizoi Lajcak.

Lajcak u shpreh për gatishmërinë e BE-së për të dhënë ndihmë, “por më parë duhet të shihet gatishmëria dhe vullneti nga të dy forcat e mëdha politike për t’u përfshire në një dialog të ndershëm politik dhe më pas ne jemi gati”, përfundoi ai.

Top Channel