BSH: Cmimet nën kontroll

23/02/2011 14:25

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani vlerësoi se rritja e cmimeve ka prekur konsumin e shtresave më të varfëra, por ai theksoi se ky fenomen do të jetë afatshkurtër, duke rrëzuar pretendimet për kapërcim të inflacionit përtej parashikimeve.

“Ushqimet dhe nafta kanë pasur një rritje të ndjeshme cmimesh si pasojë e rritjes në tregjet botërore. Kjo rritje ka prekur më shumë shtresat e varfëra, por Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se niveli i inflacionit mbetet i kontrolluar. Ecuria e tij do të jetë në përputhje me parashikimet e BSH”, deklaroi Fullani.

I pyetur në lidhje me vërejtjet e Autoritetit të Konkurrencës për tarifat e shërbimeve bankare, guvernatori kërkoi të mos spekulohet.

Sipas tij, janë vetëm disa tarifa ato që kanë nevojë të ndëryhet dhe Këshilli Mbikëqyrës ka marrë në mbledhjen e fundit një vendim.

“Raporti i Autoritetit të Konkurrencës që ka ardhur tek BSH nuk vëren asnjë problem lidhur me këtë cështje. Për produktet që BSH i jep sistemit bankar shqiptar, BSH vë një kufi që do shërbejë si nje tavan për cmimet që sistemi bankar shqiptar i transmeton konsumatorit”, sqaroi Fullani.

Vendimi ul detyrimet që bankat private paguajnë tek Banka e Shqipërisë për cdo transfertë që ato bëjnë, cka sipas ekspertëve të bankës do sjellë uljen e komisioneve per qyetarët.

Edhe këtë radhë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit.

Top Channel