Gjeorgji, hetim për vdekjen e ish-presidentit

22/02/2011 16:20

Një komision parlamentar është ngritur në Gjeorgji për të hetuar mbi vdekjen e presidentit të parë post-sovietik të vendit, Zviad Gamsakhurdia.

Siç informon Agjensia Franceze e Lajmeve, duke iu referuar mediave gjeorgjiane, janë gjetur prova se vdekja e Gamsakhurdia-s, në vitin 1993, ndodhi pasi ai u vra dhe jo si rrjedhojë e një vetvrasje, siç ishte deklaruar zyrtarisht.

Ish-presidenti mbeti viktimë e një plage me armë zjarri në kokë. Në atë periudhë, një revoltë e një grupi brenda ushtrisë kishte nisur kundër tij, por ekspertiza e klasifikoi plagën si të vetshkaktuar.

Komisioni i ri parlamentar do të rikthehet në rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja, pasi dëshmi kontradiktore janë nxjerrë nga dëshmitarët e kohës, ndërsa mënyra se si plumbi përshkroi trurin e të ndjerit, tregon se arma ishte pozicionuar në një mënyrë të atillë që duhet të mbahej detyrimisht nga dikush tjetër.

Vrima hyrëse e plumbit është më lartë se ajo dalëse, ndërsa në rastet e vetvrasjes, është tipike që të ndodhë e kundërta apo vrima të hyrëse dhe ajo dalëse të jenë pak a shumë horizontale.

Gamsakhurdia ishte presidenti i parë i Gjeorgjisë, pas shpalljes së pavarësisë nga Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, por ai u shndërrua shpejt në një figurë të urryer në vend, për shkak të mënyrës autoritare me të cilën drejtoi në dy vitet e regjimit të tij.

Top Channel