BB: Kërcënojnë çmimet

22/02/2011 16:10

Banka Botërore, insituticioni i krijuar për të luftuar varfërinë në botë pak ditë më parë lëshoi alarmin se çmimet e ushqimeve kanë hyrë në një zonë të rrezikshme.

Në një intervistë për Top Channel, drejtoresha e Bankës në Tiranë, Ksenia Lvovski, shpjegon se cilat janë shkaqet që po e zhysin botën drejt një krize të re çmimesh.

“Një nga arsyet kryesore është vëmendja e pamjaftueshme ndaj bujqësisë në fund të shekullit të kaluar. Edhe pse tani për fat të mirë gjendja ka ndryshuar, bota sërish po ndjen pasojat. Në 2008 ndihma globale për bujqësinë ishte 2 herë më e madhe se ajo në vitin 1998. Por kundër kësaj rritjeje të vëmendjes, janë fatkeqësitë natyrore. Përmbytjet shkatërruese në shumë vende të botës, thatësirat ekstreme në Rusi, kanë tronditur prodhimin. Shqetësimi është se ndryshimi i klimës do i bëjë ngjarje të tilla edhe më të shpeshta. Pra bota po përballet me një sfidë konstante ushqimesh”, tha Lvovski.

Por sa e rrezikuar është Shqipëria në këtë panoramë jo fort optimiste globale.

“Lajmi i mirë është se Shqipëria tani është një vend me të ardhura të mesme të larta, që do të thotë se shumë njerëz kanë dalë nga varfëria. Së dyti rritja e çmimeve në Shqipëri dhe përgjithësisht në Ballkan ka qenë më e ulët krahasuar me rajone të tjera. Po ashtu, për fat të mirë vendi nuk vuan nga kequshqyrja e fëmijëve. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për të mos u shqetësuar. 20 përqind e familjeve të varfëra këtu shpenzojnë 20 përqind të buxhetit total vetëm për bukë dhe drithëra dhe këta janë të rrëzikuar”, deklaroi Lvovski.

Kjo nuk është një krizë e përkohshme dhe çmimet e ushqimeve janë bërë të paqëndrueshme duke rrezikuar më shumë vendet e varura nga importi si Shqipëria. Zgjidhja për të minimizuar kostot kalon nga reformat që për shumë vite ka dështuar t’i bëjë çdo qeveri.

“Në afatshkurtër është e domosdoshme reformimi i ndihmës ekonomike për të mbrojtur të varfërit. Për këtë po bëhet një ligj i ri zbatimi i të cilit do jetë kritik. Në afatgjatë zgjidhja është modernizimi i bujqësisë. Fermerëve duhet t’u mundësohet aksesi në kredi dhe pronësia e tokës bujqësore duhet të jetë e qartë. Duhet të vazhdojë rehabilitimi i sistemeve të ujitjes dhe të forcohet kontrolli i sigurisë ushqimore që do të mundësonte eksportin. Nga ana tjetër Shqipëria duhet të lëvizë më shpejt për të përfituar nga fondet e Bashkimit Europian për zhvillimin rural”, u shpreh Lvovski.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA