Topi: Demokracia, jo mbi themelet e harresës

21/02/2011 12:45

Presidenti i Republikës, Bamir Topi gjatë një ceremonie në përkujtim të 20 vjetorit të rënies së bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha, ka deklaruar se demokracia nuk duhet të ndërtohet mbi themelet e harresës.

Me këtë rast në Presidencë është bërë publike një ekzpozitë me foto në përkujtim të viktimave të asaj periudhe.

“Demokracia që në po përpiqemi të ndërtojmë për më shumë se dy dekada nuk duhet dhe nuk mund t’i ketë themelet mbi harresën dhe orvajtjet për të justifikuar masën e fajit. Ja përse kjo ceremoni e cila harmonizohet në mënyrë shumë të qartë në një fotoekzpozitë në përkujtim të viktimave që kanë qenë simbol i qendresës, bën që ne të ndihemi sa të emocionuar dhe krenarë. Ja pse na duhet një fotoekzpozitë prej së cilës ne duhet të mësojmë shumë”, është shprehur Topi.

“Lufta e klasave, përndjekja deri tek pasardhësit, shkelja e të drejtave të njeriut dhe dhuna e ushtruar nga sistemi komunist, duhen demaskuar dhe ndëshkuar publikisht. Vetëm kështu mund të flasim për një shtet të së drejtës”, tha Topi.

Top Channel