Kampionët e Spanjës në fuqi, Barcelona, janë të vendosur që të luftojnë në merkaton e verës kundër Interit, për të siguruar shërbimet e argjentinasit Carlos Tevez.
Sipas lajmit të publikuar sot në gazetën spanjolle “AS”, të dy skuadrat kanë shfaqur një interesim shumë të fortë, pasi është mësuar lajmi se Tevez nuk po arrin në firmosjen e një rinovimi me Manchester City-n.
Klubi në pronësinë e sheikut Mansour gjykon se 300 mijë eurot që Tevez fiton në javë, janë maksimumi që mund të ofrojë, pasi kjo pagë e bën atë lojtarin më të paguar në të gjithë Anglinë.
Nga ana e tij, futbollisti është i pakënaqur nga fakti që në ofertën për rinovimin, nuk është përfshirë një rritje e pagës.
Marrëveshja e vetme që City pranon të ofrojë, është një përmirësim i pagës prej 45 mijë eurosh në javë, në këmbim të lëshimit të plotë të paketës së të drejtave të imazhit, aktualisht e ndarë 50 me 50.
Megjithatë, më shumë se sa çështje parash, Tevez duket se do të përdorë mosmarrëveshjet me City-n si një pretekst, pasi të luajë me Barçën konsiderohet si një ëndërr prej argjentinasit.
Ndërkohë, duke qëndruar tek merkatoja e Barcelonës, edhe pse mbërriti vetëm në janar, Ibrahim Afellay duket se është drejt largimit, që në merkaton e verës.
Sipas shtypit holandez, mungesa e impaktit dhe hapësirës në skuadrën katalanase, ka shtyrë lojtarin e përfaqësues holandeze që t’i kërkojë klubit të marrë parasysh ofertën e paraqitur më parë prej Liverpool-it.
Top Channel