Tatimet, udhëzim për faturat e reja

19/02/2011 08:15

Prej datës 1 shkurt, të gjitha profesionet e lira, si ekonomistët, mjekët, inxhinierët etj, do të paguajnë TVSH në masën që e parashikon ligji, 20 për qind.

Kjo do të thotë që automatikisht, shërbimet e tyre do të kushtojnë 20 për qind më shtrenjtë.

Për ta bërë më të zbatueshme skemën e re, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Gazmir Spahija ka urdhëruar të gjitha degët rajonale për procedurat që duhen ndjekur, të cilat duhet t’u bëhen të ditura edhe sektorit privat që preket nga heqja e pragut të TVSH-së.

Duke filluar nga data 1 shkurt 2011, tatimpaguesit që janë të regjistruar aktualisht me qarkullim deri në 2 milionë lekë, të cilët ofrojnë shërbime në veprimtaritë ekonomike si profesione të lira, por nuk janë të regjistruar për TVSH-në, duhet të paraqiten pranë Drejtorive Rajonale Tatimore të juridiksionit që i përkasin për të ndryshuar përgjegjësinë tatimore, pra do të aktivizohen për TVSH-në.

Të gjithë tatimpaguesit që regjistrohen për herë të parë pas datës 1 shkurt 2011 pranë QKR-së, për të ofruar shërbime në veprimtaritë e tyre ekonomike, në formularin e regjistrimit do të zgjedhin të jenë të regjistruar për TVSH-në, pavarësisht qarkullimit që parashikojnë të kryejnë.

Që në momentin e aktivizimit për TVSH-në, këta tatimpagues do të lëshojnë dhe faturojnë TVSH-në në faturat që do të lëshojnë për shërbimet që kryejnë.

Për t’u pajisur me fatura tatimore me TVSH (blloqet e faturave me TVSH), do të drejtohen pranë Drejtorive Rajonale Tatimore ku janë të regjistruar.

Periudha e parë e deklarimit dhe pagesës së TVSH-së për këta tatimpagues do t’i përkasë periudhës tatimore shkurt 2011, deklarim i cili do të kryhet nga data 1-14 mars 2011.

Top Channel