Kush është kolonel Gadaffi?

18/02/2011 15:45

I njohur për veshjet e tij të çuditshme, plot shkëlqim dhe truprojat femra, udhëheqësi më i vjetër në botën arabe dhe në Afrikë, Muamar Gedafi u konsiderua një politikan i zoti, i cili u përpoq ta nxirrte vendin nga izolimi diplomatik.

Ishte në vitin 2003, pas më shumë se dy dekadash të statusit pariah, që Tripoli mori përgjegjësi për bombardimin e avionit Pan Am, mbi qytetin skozes Lokërbi, duke i hapur kësisoj rrugë heqjes së sanksioneve. Por, ajo që e afroi më shumë me Perëndimin, ishte kur Libia hoqi dorë nga çdo përpjekje për të prodhuar armë të shkatërrimit në masë.

Megjithëse i etiketuar si i paparashikuar, Gedafi nisi të pranohej si udhëheqës në arenën ndërkombëtare. Analisti libian, Saad Djebar, e cilëson të veçantë, si nga sjellja apo strategjia.  

“Por është një politikan mendjemprehtë”,- shpjegon ai- “është një i mbijetuar politik i Urdhrit të Parë”.

Gedafi lindi në shkretëtirë, në afërsi të Sirtës në vitin 1942. Në rini ishte një admirues i udhëheqësit egjiptian dhe nacionalistit arab, Gamal Abdel Naser, duke marrë pjesë në protestat anti-izraelite gjatë krizës së Suezit në vitin 1956.

Planet për të rrëzuar monarkinë që mbreteronte në Libi, lindën qëkur ishte në kolegjin ushtarak. Më pas, u trajnua në Britani përpara se të kthehej në Bengazi dhe të përpilonte me detaje grushtin e shtetit të 1 shtatorit të vitit 1969.

Ai shpalosi filozofinë politike në vitet 1970 në “Librin e Gjelbër”, një përzierje e socializmit, kapitalizmit dhe islamit. Më 1977 ai shpiku sistemin e ashtuquajtur “Xhamahirija” (Jamahiriya), apo “Shteti i Masave”, përmes të cilit pushteti mbahej nga mijëra komitete të popullit. Influenca e këtij udhëheqësi është ndjerë përtej kufijve të vendit të tij.

Ish-presidenti i ndjerë amerikan, Ronald Regan, e ka quajtur “një qen të çmendur”. Shtetet e Bashkuara iu kundërpërgjigjën sulmeve të Libisë në Europë, me bombardime në Tripoli dhe Bengazi në 1986. Gedafi u shokua prej tyre, por më e rënde për të ishte humbja e vajzës së adoptuar nga këto sulme.

Ai, shpesh e ka përcaktuar veten si një udhëheqës shpirtëror me ide të qarta për demokracinë, por për ekspertët ai nuk është veçse një udhëheqës autoritar. Kjo duket në kontrollin ndaj mediave, ndalimin e grupeve politike kundërshtare, burgosjen e njerëzve, madje edhe dënimin me vdekje të disave.  

E duke mos bërë dallim nga udhëheqësit autoritarë, mbështetet tek djemtë e tij.

Por, në Libinë e pasur me naftë populli ishte ai që vuante pasojat, por në të njëjtën kohë e ndjen se diçka duhet bërë, por ritmet janë shumë të ngadalta.

Top Channel