Rama: Zgjidhja e krizës, zgjedhjet e reja

16/02/2011 17:40

Kryetari i PS, Edi Rama ka përshëndetur qëndrimin e unifikuar të partive të Parlamentit Evropian, se Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë politike.

Në një deklaratë për shtyp të mbajtur para pak castesh, Rama ka paralajmëruar se kriza në fjalë rrezikon të thellohet nëse nuk ndërmerren hapat e sugjeruar nga BE.

“Pra, edhe për Evropën, Shqipëria nuk është më në ngërc por në krizë të thellë, spiralja e të cilës bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Ndërkohë që Evropa pret plotësimin e kritereve të Kopenhagenit, porosia e zotit Miroslav Lajcak tregon se Evropa kërkon zgjidhje reale dhe demokratike të krizës”, ka deklaruar Rama.

Ai ka shprehur vullnetin e opozitës për të kontribuar në suksesin e Evropës për zgjidhjen e krizës në Shqipëri, e cila sipas tij i ka rrënjët tek vjedhja e zgjedhjeve.

“Do bëjmë gjithcka që Shqipëria të dalë nga kriza, që shqiptarët të mos vazhdojnë të paguajnë faturën e kësaj krize, që i ka rrënjët tek zgjedhjet e vjedhura dhe tek kusaria e këtij pushteti”, ka pohuar Rama.

Ai e ka mohuar opsionin e bojkotit të zgjedhjeve të 8 majit dhe ka rikonfirmuar qëndrimin e opozitës se situata aktuale zgjidhet vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme.

“Duke nënvizuar se ne nuk e kemi konsideruar si të vlefshëm bojkotin e zgjedhjeve vendore, nënvizoj se për ne zgjidhja e plotë e kësaj krize është kthimi i partive para gjykimit të popullit, me zgjedhje të lira e të ndershme. Përballë regjimit vrastar të kusarisë, ne do bëjmë gjithcka për zgjedhje të lira e të ndershme, duke demonstruar paqësisht dhe duke qenë të pranishëm në Parlament”, ka theksuar Rama.

Më tej, ai ka rikonfirmuar protestën e 18 shkurtit. “Të premten në orën katër ne do rikthehemi në bulevard edhe në emër të atyre që u vranë më 21 janar edhe për ata që janë vrarë më parë dhe që drejtësia nuk është lejuar të hetojë”, ka shtuar Rama.

Top Channel