Nisin protestat në Bahrein

16/02/2011 13:40

Mijëra protestues u mblodhën në sheshin qendror të Manama-s, kryeqytetit të Bahreinit, pas dy ditë protestash me policinë, ku humbën jetën dy persona.

Njëri prej viktimave u vra gjatë funeralit të parit.

Ceremonia e varrimit e 31 të vjeçarit Fadel Salman Matruk, i qëlluar dhe vrarë pas përleshjeve në funeralin e viktimës së parë, u zhvillua në fshatin Daih.

Ministri i Brendshëm i Bahreinit tha se polici i përfshirë në vrasjet e tyre përfundoi në pranga.

Të martën, gjatë një fjalimi drejtuar kombit, mbreti i Bahreinit, Hamad Bin Isa Al Kalifa premtoi se vrasjet do te hetohen.

Pas kësaj, mijëra protestues u mblodhën në “Sheshin Perla” në qendër të kryeqytetit.

Sipas disa raportimeve, u fol për 10 mijë të pranishëm. Shoqata Rinore tha se shumë prej protestuesve kishin marrë me vete, tenda dhe mbulesa.

Gjithashtu u fol për kufizime të internetit.

Në kërkesat e tyre protestuesit kërkojnë lirimin e të burgosurve politike, vende pune dhe një jetesë më të mirë, krijimin e një parlamenti më përfaqësues, një qeveri e re, që të mos përfshijë kryeministrin Sheik Kalifa Bin Salman Al Kalifa, që mban ketë detyrë prej 40 vjetësh.

Shtetet e Bashkuara që kanë një bazë detare në Bahrein shprehën shqetesimin për vrasjet dhe bënë thirrje për vetëpërmbajtje.

Top Channel