Kongresi i autoriteteve lokale dhe rajonale të Këshillit të Europës do të jetë një nga organizmat europianë që do të monitorojë zgjedhjet lokale të 8 majit.
Këtë e ka konfirmuar sekretari i përgjithshëm i Kongresit të autoriteteve lokale, Andreas Kifer, nëpërmjet një letre zyrtare që i ka dërguar ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto.
Letra është një përgjigje e kërkesës së mëparshme të qeverisë shqiptare, e cila i kishte kërkuar këtij organizimi të sillte në Shqipëri një mision vëzhgimi për zgjedhjet loakle.
Në letrën e tij për Tiranën zyrtare, zoti Kifer thotë se ky vendim është marrë gati dy muaj më parë. Madje, jo me një, por me dy misione vëzhgimi.
Hollësitë e këtyre misioneve ende nuk janë përcaktuar, por bëhet e ditur se misioni i parë do të ketë për qëllim një vëzhgim të detajuar të situatës parazgjedhore në Shqipëri, ndërsa i dyti, do t’i kushtohet ditës së zgjedhjeve për të parë ecurinë e votimit dhe numërimit të votave.
Qeveria shqiptare ka ftuar zyrtarisht dhe OSBE/ODIHR për të dërguar një mision vëzhgimi sa më të gjerë me qëllim sigurimin e transparencës maksimale të procesit zgjedhor, ku roli i këtyre organizatave të specializuara është vendimtar në certifikimin e standarteve zgjedhore.
Qeveria shqiptare thotë se u ka kërkuar edhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë angazhim maksimal me vëzhgues, duke siguruar vullnetin e plotë të Tiranes zyrtare për të kontribuar në arritjen e standarteve më të larta zgjedhore.
Top Channel