Gjermania blen New York Stock Exchange

16/02/2011 14:40

Kur ekonomia botërore ende nuk e ka marrë veten nga kriza e gjithanshme e dy viteve të fundit, gjermanët tregojnë sërish dhëmbët, duke blerë bursën amerikane të New York Stock Exchange.

Bursa e Frankfurtit njoftoi se ka marrë kontrollin e bursës amerikane duke blerë 60 përqind të aksioneve të saj.

Gjermanët do të kenë 10 nga 17 vendet në bordin drejtues të bursës.

Ekspertët e kanë konsideruar këtë si një ngjarje, e cila përcjell mesazhe të forta, jo vetëm simbolike, por edhe ironi.

Për vite me radhë asnjë institucion nuk e ka përfaqësuar amerikën në botë aq sa Woll Striti, e konsideruar si shtëpia e përjetshme e kapitalizmit botëror.

Në më shumë se dy shekuj që nga lindja e saj Woll Street ka qenë motori i ekonomisë amerikane, inovacionit dhe tempulli botëror i tregjeve të kapitalit.

Nga sot ajo do të fillojë tashmë të flasë edhe gjermanisht. Ka nga ata analistë që e konsiderojnë këtë ngjarje si një hakmarrje paqësore të Gjermanisë, 65 vjet pas fitores amerikane në Luftën e Dytë Botërore.

Por më shumë se metaforat mesazhi që përcjell mësymja e gjermanëve në Woll Strit është ai se Gjermania ka filluar sërish të bëhet protagonist kryesor në arenën botërore, falë një ekonomie që doli e para nga kriza dhe po rritet me ritme të forta, kur vendet e tjera ende notojnë në pasiguri.

Top Channel