Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Peter Feith ka uruar sot qytetarët e Kosovës me rastin e 3-vjetorit të pavarësisë, që shënohet nesër më 17 shkurt.
Në mesazhin e tij, përvec urimeve, Feith ka deklaruar se në këto tre vjet Kosova ka bërë progres të dukshëm në konsolidimin e shtetit të saj.
“Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm. Ajo po ndërton institucione demokratike të cilat po funksionojnë gjithnjë më efektshëm, duke siguruar një Kosovë të suksesshme, të qëndrueshme dhe duke i kontribuar perspektivës evropiane”, ka pohuar Feith.
Kreu i ICO-së ka shtuar më tej se Grupi Drejtues Ndërkombëtar vazhdon të mbështesë integritetin territorial të Kosovës dhe u ka bërë thirrje vendeve që s’e kanë njohur atë që ta bëjnë një gjë të tillë.
Top Channel