Izraeli: “Stuhia arabe” nuk ka përfunduar

15/02/2011 19:35

Zëvendëskryeministri izraelit deklaroi sot se “stuhia” e revolucioneve në vendet arabe nuk ka përfunduar.

Qeveria e Hosni Mubarak-ut, në Egjipt, vendin më të madh dhe me më shumë influencë në botën arabe, u rrëzua gjatë javës së shkuar pas protestave 18-ditore të masave popullore.

Dan Meridor, i cili është edhe Ministër i Inteligjencës dhe Energjisë Atomike, deklaroi për “Associated Press”: “Ajo që pamë në Egjipt ishte një zhvillim unik. Sloganet në liri e demokraci janë të botës perëndimore, ato nuk i përkisnin më parë një vendi arab.

Megjithatë, për momentin nuk mund të themi se si do të përfundojë kjo histori. Presim të shohim me vëmendje se si do të zhvillohen situatat në Egjipt, ndërsa është e sigurt që stuhia në botën arabe është ende larg përfundimit të saj.

Shteti i Izraelit shpreson fuqimisht që Egjipti do të vazhdojë në politikën e tij të moderuar, duke mbetur larg radikalizmit të promovuar nga Siria dhe Irani apo ndikimit të Hezbollah-ut e Hamas-it”.

Meridor shtoi se marrëveshja e paqes së arritur midis dy vendeve në vitin 1979, mbetet jetike për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Top Channel