Për vetë pozicionin si nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu ka rënë në gjurmë të shkeljeve ligjore në ndryshimin e kombësisë. Ai merr si shembull një rast flagrant në Sarandë.
“Kryetari i gjykatës së Sarandës merr në shqyrtim kërkesën e vëlla e motër për të ndërruar kombësinë nga shqiptare në greke. Gjykata e refuzon, ata e cojnë në Apelin e Gjirokastrës, e cila vëllain e lë shqiptar dhe motrës i jep shtetësi greke. Si mund të deformohet një familje përmes provave që nuk ekzistojnë?”, deklaron Spahiu.
Në këtë moment gjykatat po shqyrtojnë rreth njëmijë kërkesa për ndryshimin e kombësisë. Por rregjistrimi i popullsisë në mars, ku në formular është parashikuar edhe deklarimi vullnetar, pra pa prova i kombësisë dhe i fesë, mund të sjellë mbivendosje të dhënash. Për më tepër, thotë zoti Spahiu, ky tip deklarimi nuk është standard europian.
“Nëse i referohemi të gjitha regjistrimeve të popullsisë në vendet e BE, përfshirë Greqinë, në asnjë nga këto vende nuk parashikohet vetëdeklarimi i kombësisë apo fesë. Shumica e vendeve të BE nuk e realizojnë regjistrimin pasi i referohen regjistrave të gjendjes civile për faktin se është një dokument zyrtar”, thekson Spahiu.
Kritikët e regjistrimit të popullsisë mbi bazën e kombësisë, i druhen rritjes artificiale të numrit të minoritarëve grekë.
Kjo mund të kushtëzojë integrimin europian të Shqipërisë me kërkesa shtesë nga Greqia, për plotësimin e kushteve të një minoriteti të paqenë.
Po ashtu, abuzimet me cështjen e kombësisë penalizojnë në praktikë ata që sipas ligjit për gjendjen civile e meritojnë ndryshimin e kombësisë, nëse e dëshërojnë.
Top Channel