“Vatra”: Të shtyhet regjistrimi i popullsisë

14/02/2011 11:40

Federata panshqiptare “Vatra” në SHBA kërkon shtyrjen e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, pas tentimeve dhe skenarëve grekë në zonat e jugut.

“Rëndohet shqetësimi rreth regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, për shkak të veprimtarisë haptas agresive që grekët po zhvillojnë, sidomos në zonat e jugut, për të rritur artificialisht numrin e qytetarëve shqiptarë me etni greke. Aktivisti grek në Amerikë, Nicholas Gage, sillet lirshëm nëpër Shqipëri duke inkurajuar qytetarët të deklarohen grekë në regjistrimin e 31 marsit të këtij viti. Ai është një armik i njohur i Shqipërisë, i cili punon për realizimin e planit grek që synon autonominë më parë dhe pastaj aneksimin e pjesës jugore që ata e quajnë Epiri i Veriut”, theksohet në apelin e “Vatra”.

Sipas kësaj shoqate, klima politike aktuale me protesta të pafund dhe “tentativat për ndryshimin e qeverisë me dhunë e gjakderdhje e vështirësojnë vëmendjen te regjistrimi, ndërsa shovinistët grekë përfitojnë nga rrëmuja dhe shtojnë aktivitetin e tyre armiqësor”.

“Vatra” konsideron se për shkak të rrethanave jo të favorshme ekonomike dhe morale, mijëra shqiptarë janë detyruar të pajisen me dokumente false dhe të deklarohen grekë pa qenë të tillë.

“Aktiviteti agresiv shovinist i konsullit, i deputetëve dhe aktivistëve të tjerë të Greqisë, e bën të domosdoshme shtyrjen e regjistrimit dhe angazhimin e përbashkët për përgatitjen e opinionit shqiptar në frymën e patriotizmit dhe të krenarisë kombëtare”, thuhet në mesazhin e federatës panshqiptare “Vatra”.

Apeli i shoqatës së themeluar nga Noli ka pasuar qëndrimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, i cili kërkoi që të shtyhet regjistrimi i popullsisë.

Zoti Spahiu ka qenë një nga zyrtarët e vetëm shtetërorë, të cilët kanë sulmuar deklaratat nacionaliste të përfaqësuesit diplomatik të Athinës zyrtare, përkatësisht konsullit grek të Korçës për ekzistencën e minoritetit në këtë qark.

Përveç Spahiut në vend kanë reaguar edhe pjesë të shoqërisë civile, si Unioni i Gazetarëve dhe “Mjaft”.

Ndërkaq, deputeti i PD-së, Gazmend Oketa, kërkoi shpalljen “non grata” të konsullit grek të Korçës, Theodoros Ikonomu.

Top Channel