Shalsi: Berisha, fund si Mubarak

12/02/2011 14:00

Deputeti socialist Eduard Shalsi ka bërë një paralelizim të situatës në Shqipëri me atë në Egjipt, ku presidenti Mubarak dha dorëheqjen pas 30 vjetësh në pushtet.

“E pamë se cfarë po ndodh në vende ku qeveriset jo me vullnetin e popullit. Historia na i ka treguar se cfarë ndodh kur qeveriset për interesat private. Sado të përpëliten për të qëndruar në pushtet, fundi i tyre është i paevitueshëm. Sa më shumë i afrohen fundit, aq më të rrezikshme bëhen politikat e tyre”, ka deklaruar Shalsi.

Në një deklaratë për shtyp, Shalsi është shprehur se të njëjtin fund e pret edhe kryeministrin Berisha, i cili po sulmon institucionet për shkak të pozitës së rëndë në të cilën ndodhet.

“Shikoni Sali Berishën, pasi vrau 4 të pafajshëm dhe plagosi dhjetra të tjerë, iu vërsul jo vetëm opozitës, por edhe presidentit dhe prokurores së përgjithshme”, ka pohuar Shalsi.

Sipas tij, ngaqë kryeministri e ka kuptuar që po i vjen fundi, ka organizuar edhe grabitjen e radhës me privatizimin e pasurive publike.

“Gjithashtu, mësuam se qeveria do privatizojë 1280 objekte shtetërore para zgjedhjeve lokale. Cfarë e nxitu Saliun ta bëjë këtë? Një pushtet që parandjen fundin e tij kërkon të vjedhë dhe të marrë sa më shumë”, ka akuzuar Shalsi, duke shtuar se kjo është një arsye më shumë pse qytetarët duhet të protestojnë më 18 shkurt.

“Ja pse më 18 shkurt shqiptarët do të jenë në bulevardin e Tiranës më shumë se kurrë për t’i thënë ndal kusarisë. Do të vendosim kundër kësaj vjedhjeje të organizuar të pasurisë publike nga një pushtet vrasës dhe kusarësh”, ka shtuar Shalsi.

Top Channel