Algjeria përgatitet për protestën masive

12/02/2011 08:15

Trupa të stërvitura policie, të pajisura me lotsjellës dhe maska kundërgaz, janë vendosur në kryeqytetin algjerian të Algjerit në mëngjes, përpara zhvillimit të protestave të paralajmëruara antiqeveritare më vonë gjatë ditës.

Siç raportoi Agjensia Franceze e Lajmeve, pavarësisht se protestat në vend ndalohen me ligj dhe autoritetet e kanë ndaluar zhvillimin e tyre, partitë opozitare thonë se kanë ndërmend të vazhdojnë me demonstratat.

Algjeria është pjesë e reaksionit zinxhir të vendeve arabe, me presione të forta për demokratizimin e jetës publike dhe kërkesa për reforma ekonomike.

”Jemi gati për marshimin. Kjo ka për të qenë një ditë e madhe për demokracinë në Algjeri”, deklaroi Mohsen Belabes, zëdhënës i partisë së vogël opozitare Kulturë dhe Demokraci.

Protestat janë të ndaluara në Algjeri që prej vitit 1992, kur u shpall gjendja e emergjencës për shkak të luftimeve me grupimet islamike. Kjo gjendje vazhdon të jetë në fuqi që prej 19 vitesh.

Top Channel